Konjufca në OKB: Serbia vrau 12 mijë shqiptarë, kërkon drejtësi edhe për Banjskën

Konjufca në OKB: Serbia vrau 12 mijë shqiptarë, kërkon drejtësi edhe për Banjskën

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se Serbia po vazhdon kërcënimet ndaj Kosovës, duke ekspozuar, sipas tij, synimet e saj ekspansioniste territoriale. Ai theksoi se zyrtarët serbë po e sfidojnë hapur Kosovën. 

Konjufca tha gjithashtu se personat që kanë kryer krime në Kosovë po vazhdojnë të jetojnë të lirë.Ai deklaroi se Serbia ka vrarë 12 mijë shqiptarë në Kosovë.

Konjufca ka deklaruar se Serbia ka vrarë 12 mijë shqiptarë të paarmatosur gjatë luftës në Kosovë, duke kritikuar ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriq, për mospërmendjen e viktimave shqiptare në deklarimin e tij para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Zonja presidente, shteti i Serbisë, me flamurin e Serbisë, ka vrarë në vendin tim 12 000 njerëz të paarmatosur, të pafajshëm, shqiptarë. Asnjë fjalë nga ministri Gjuriq për 12 000 shqiptarë të vrarë! Këtë e quaj unë mohim të drejtësisë”, ka deklaruar Konjufca.

Në vazhdim të fjalimit të tij, ai ka kërkuar nga Serbia që të mbajë përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë dhe të ndalë, siç ka thënë, politikën armiqësore ndaj Kosovës.

“Duhet të ndalë pengimin sistematik të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe të miratojë njohjen e ndërsjellë si bazë për marrëdhëniet ndërshtetërore”, ka thënë ai.

Konjufca ka akuzuar Beogradin zyrtar për mbështetje të sulmit në Banjskë, duke përmendur Milan Radoiçiqin, të cilin e ka cilësuar si organizator të sulmit. Ai ka kritikuar faktin që Radoiçiqi është shfaqur në një tubim politik të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kragujevc, në vend që të përballet me drejtësinë.

“Këto nuk janë provokime të izoluara, ato ekspozojnë një doktrinë armiqësore, ekspansionizëm territorial dhe pandëshkueshmëri për agresion të armatosur”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të dënojë veprimet e tilla dhe të kërkojë llogaridhënie për sulmin në Banjskë.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, e as drejtësia për sulmin terrorist të Banjskës”, ka theksuar ai, raporton rtk.

Share This