Kimmich: Gjermania nuk u dha tifozëve asgjë për të qenë krenarë

Kimmich: Gjermania nuk u dha tifozëve asgjë për të qenë krenarë

Mesfushori dhe një nga liderët e kombëtares gjermane, Joshua Kimmich, ka marrë përgjegjësinë për dështimin e Gjermanisë, duke theksuar se fajin e mbajnë lojtarët dhe jo trajneri apo faktorë të tjerë.

Në një deklaratë të sinqertë, Kimmich pranoi se kombëtarja nuk arriti t’u dhurojë tifozëve momentet që ata prisnin.

“Si fëmijë, gjithmonë e kam parë Gjermaninë të arrijë në gjysmëfinale dhe finale. Nuk mund t’ua jepnim këtë njerëzve që na shikonin nga shtëpia”, tha ai.

Mesfushori theksoi se në këtë periudhë të vështirë, populli gjerman ka nevojë për arsye për t’u ndier krenar, por sipas tij, kombëtarja nuk ia doli ta përmbushte këtë rol.

“Mendoj se njerëzit në Gjermani kanë nevojë për diçka për të cilën të jenë krenarë në këtë moment. Për fat të keq, kjo nuk është skuadra kombëtare”, theksoi ai.

Kimmich ishte i prerë edhe sa i përket përgjegjësisë për eliminimin, duke mbrojtur trajnerin dhe duke refuzuar të kërkojë justifikime.

“Ne, lojtarët në fushë, bëmë gabime dhe marrim përgjegjësinë. Nuk ishte faji i trajnerit, nuk ishte faji i medias, nuk ishte faji i gjyqtarit dhe as i kundërshtarit. Fajin e kemi ne lojtarët”, pohoi ai.

Deklarata e Kimmich është vlerësuar si një shenjë lidershipi, teksa Gjermania përballet me një tjetër zhgënjim në një turne madhor dhe tashmë nis analizën për të ardhmen.

Share This