
KEDS nis zbatimin e vendimit të ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë – nesër fillon shkyçja e bizneseve pa kontratë furnizimi
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), të mërkurën ka njoftuar se nga nesër, më 31 korrik 2025, do të nisë zbatimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset.
Në një njoftim zyrtar, KEDS thekson se bazuar në Nenin 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF), konsumatorët pa kontratë të rregullt kanë afat maksimal prej 60 ditësh për të siguruar një marrëveshje me një furnizues të licencuar. Pas kësaj periudhe, në mungesë të një kontrate, furnizimi nuk lejohet ligjërisht dhe rrjedhimisht do të ndërpritet.
“KEDS është i obliguar që më 31.07.2025 të shkyçë nga rrjeti të gjithë konsumatorët që nuk kanë një marrëveshje të rregullt furnizimi me një Furnizues Aktiv. Kjo është në përputhje me ligjin dhe vendimet e ZRrE-së për liberalizimin e tregut,” thuhet në njoftimin e kompanisë.
KEDS i bën thirrje të gjitha bizneseve që ende nuk kanë nënshkruar kontrata me ndonjë nga furnizuesit e licencuar që ta bëjnë këtë sa më parë për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji.
Gjithashtu, KEDS sqaroi se si Operator i Sistemit të Shpërndarjes, nuk ka kompetencë furnizuese dhe është thjesht përgjegjës për shpërndarjen, duke zbatuar vendimet e autoritetit rregullator.
Ky veprim është pjesë e reformave të tregut të energjisë në Kosovë, që synojnë krijimin e konkurrencës dhe funksionimin e një tregu të hapur për energjinë elektrike.


