Serbia arreston një shtetas të Kosovës, MPJD: Rast arbitrar, shmangni udhëtimin në territorin serb. Ndërkombëtarët të reagojnë

Serbia arreston një shtetas të Kosovës, MPJD: Rast arbitrar, shmangni udhëtimin në territorin serb. Ndërkombëtarët të reagojnë

Autoritetet serbe kanë arrestuar shtetasin kosovar Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, mes Kroacisë dhe Serbisë. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, e cila e cilëson ndalimin si pjesë të një serie arrestimesh arbitrare ndaj qytetarëve kosovarë që kalojnë tranzit përmes Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të arrestimeve arbitrare dhe të paprovokuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë

Rasti i fundit i arrestimit të qytetarit Behar Preniqi, i cili u ndalua dje në pikën kufitare Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, përbën një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

MPJD njoftoi se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kërkuar zyrtarisht konfirmim dhe sqarim nga autoritetet serbe për arsyet e arrestimit. Rasti është përcjellë edhe te Delegacioni i BE-së në Serbi dhe vendet e Quint-it.

“MPJD konfirmon se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, menjëherë pas kontaktit me familjen e z. Preniqi, është angazhuar përmes kanaleve diplomatike dhe zyrtare për të siguruar informacione të sakta dhe të plota lidhur me këtë rast.

Zyra Ndërlidhëse ka adresuar një kërkesë zyrtare autoriteteve të Qeverisë së Serbisë për të konfirmuar arrestimin e z. Preniqi dhe për të sqaruar arsyet e ndalimit të tij. Përveç kësaj, rasti është përcjellë edhe te Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi si dhe te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it.

Në rast se ndaj z. Preniqi vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të kërkuar një vizitë zyrtare në vendin e ndalimit të tij”, njofton ministria.

Ministria u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin udhëtimet nëpër Serbi dhe apelon te bashkësia ndërkombëtare të reagojë ndaj praktikave represive të Beogradit.

“Në këtë fazë, MPJD u bën thirrje përsëri të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre.

I bëjmë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të reagojë zëshëm dhe me vendosmëri ndaj praktikave represive të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, përfundon MPJD. /rtsh/

Share This