Kamboxhia thirrje për armëpushim me Tajlandën

Kamboxhia thirrje për armëpushim me Tajlandën

Kamboxhia ka bërë thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm” me Tajlandën,  ku mbi 30 persona kanë mbetur të vdekur në përleshjet e vazhdueshme kufitare.

Ambasadori i Kamboxhias në OKB, Chhea Keo, tha se vendi i tij kërkoi një armëpushim “pa kushte”, duke shtuar se Phnom Penh gjithashtu dëshironte një “zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes”.

Ministri i Jashtëm i Tajlandës, Maris Sangiampongsa, tha se Kamboxhia duhet të tregojë “sinqeritet të vërtetë në përfundimin e konfliktit” që bisedimet për armëpushim të vazhdojnë.

Të paktën 32 persona, ushtarë dhe civilë, janë vrarë dhe gati 200,000 të tjerë janë zhvendosur në dy vendet e Azisë Juglindore, të cilat akuzojnë njëra-tjetrën se qëlluan të parët.

Tajlanda akuzoi Kamboxhian se ka qëlluar në zona civile dhe evakuoi të gjitha fshatrat që konsideroheshin brenda rrezes së raketave të saj. Kamboxhia, nga ana e saj, akuzoi Tajlandën për përdorimin e municioneve thërrmuese.

Mosmarrëveshja midis dy vendeve daton më shumë se 100 vjet më parë, kur kufijtë e dy kombeve u hartuan pas pushtimit francez të Kamboxhias. Gjatë viteve ka pasur përleshje sporadike ku janë vrarë ushtarë dhe civilë nga të dyja palët.

Tensionet e fundit u përshkallëzuan në maj pasi një ushtar kamboxhian u vra në një përleshje, duke i zhytur marrëdhëniet dypalëshe në pikën e tyre më të ulët në më shumë se një dekadë. /rtsh/

Share This