Kallas kritikon Borrell: BE të marrë masa të qarta ndaj Izraelit për Gazën
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka kritikuar paraardhësin e saj Josep Borrell, duke thënë se ai nuk arriti asnjë rezultat në marrëdhëniet me Izraelin. Ajo deklaroi se gjatë mandatit të Borrellit nuk u arrit asnjë marrëveshje konkrete, ndërsa vetë ka bërë hapa përpara, përfshirë dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza.
“Arrita më shumë se ai ndonjëherë,” tha Kallas për median spanjolle “El Pais”, ndërsa pranoi se situata në Gaza mbetet dramatike dhe se shumë europianë, sidomos të rinjtë, ndihen të zhgënjyer.
Kallas theksoi se Komisioni Europian nuk mund të veprojë pa miratimin e vendeve anëtare dhe se mungesa e konsensusit ka penguar veprimet e mëtejshme. Komentet e saj erdhën pak orë para se presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, të kërkonte pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Kjo marrëveshje përfshin gati 30 miliardë euro tregti vjetore. Edhe vetë Borrell e kishte kërkuar më herët një pezullim të tillë, por ishte penguar nga kundërshtimi i disa shteteve, veçanërisht Gjermanisë.
Kallas tha se përdorimi i gjuhës së ashpër nuk sjell zgjidhje, sepse në të kaluarën Izraeli e ndërpreu komunikimin me BE-në për shkak të qëndrimeve të Borrellit.
Nga ana tjetër, Borrell ka vazhduar të jetë kritik ndaj politikës së BE-së për Gazën dhe ka akuzuar Izraelin për tentativa për të zhdukur fizikisht një popull. Ai gjithashtu ka kritikuar qeveritë europiane për mungesën e ndjeshmërisë ndaj palestinezëve.
Ish-diplomati europian ka kërkuar që BE të izolojë Izraelin, ashtu siç veproi me Rusinë pas agresionit në Ukrainë.
Ndërkohë, Kallas tha se detyra e saj është të gjejë gjuhën e përbashkët mes 27 vendeve anëtare dhe të veprojë me kujdes. /rtsh/


