
Kallas: BE kërkon më shumë anije për të siguruar Hormuzin pas luftës me Iranin
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se sigurimi i lirisë së navigacionit në Ngushticën e Hormuzit pas përfundimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit do të kërkojë më shumë anije.
Sipas Kallas, do të nevojiten më shumë anije evropiane dhe zgjerimi i misionit aktual naval të BE-së. Misioni i BE-së në Detin e Kuq, i quajtur ‘Aspides’, aktualisht ka tre anije që mbrojnë transportin detar nga sulmet e rebelëve Houthi në Jemen.
Pas një takimi të ministrave të Jashtëm të bllokut, Kallas tha se planet operative të ‘Aspides’ mund të ndryshohen në varësi të nevojave shtesë, si anije speciale për pastrimin e minave.
“Por kryesisht ka nevojë për më shumë anije,” theksoi ajo, duke shtuar se një anije shtesë do t’i bashkohet operacionit Aspides, pa dhënë detaje të mëtejshme, raporton ATSH.
Më herët gjatë këtij viti, Bashkimi Evropian e zgjati mandatin e misionit Aspides deri në fund të shkurtit të vitit të ardhshëm, duke shtuar edhe 15 milionë euro fonde shtesë.

