
Juve barazon me Atalantën, paraqitje e mirë e Zhegrovës
Në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë të Serie A, Juventusi ka barazuar 1-1 ndaj Atalantës në “Allianz Stadium”.
“Zonja e Vjetër” dominoi pjesën më të madhe të lojës, por nuk arriti të marrë fitoren e katërt të sezonit. Në pjesën e parë, talenti malazez Vasilje Adzic pati disa raste të pastra shënimi, por nuk ia doli të mposhtte portierin mysafir, Marco Carnesecchi.
Atalanta kaloi në epërsi në minutën e 42-të, falë një goli të bukur të Kamaldeen Sulemana, duke shkuar në pushim me avantazh minimal.
Juventusi e shtoi presionin në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë në minutën e 78-të me anë të mbrojtësit Juan Cabal, i cili realizoi një goditje të saktë nga distanca.
Me inkuadrimin e Edon Zhegrovës në minutën e 64-të, pothuajse të gjitha aksionet e Juventusit u zhvendosën në krahun e djathtë, me Edon Zhegrovën që arriti të kërcënonte disa herë portën e mysafirëve, por pa sukses.
Në minutën e fundit shtesë, Edon Zhegrova pati mundësinë e artë për ta përmbysur rezultatin, por tentativa e tij u ndal nga portieri Carnesecchi, që u shpall edhe lojtari i ndeshjes.
Pas këtij barazimi, Juventusi grumbullon 11 pikë dhe renditet në vendin e dytë të tabelës, ndërsa Atalanta mbetet në mesin e renditjes.


