
James: Humbja ndaj Arsenalit e padrejtë
Kapiteni i Chelsea, Reece James, ka deklaruar se humbja ndaj Arsenal ishte e padrejtë, pas disfatës 2-1 në derbin e së dielës mbrëma.
“Blutë” dolën pa pikë në “Emirates”, ndërsa situata u vështirësua edhe më shumë pas përjashtimit me karton të kuq të Pedro Neto.
Pas ndeshjes, James u shpreh i zhgënjyer me rezultatin, duke theksuar se skuadra e tij kishte mundësi për të dalë me më shumë nga kjo përballje.
“Është zhgënjyese të largohesh pa asnjë pikë. Kur rezultati ishte 1-1, patëm një gjysmë rasti për ta bërë 2-1, por portieri i tyre bëri një pritje të mirë. Më pas ata fituan një goditje nga këndi dhe arritën të shënojnë”, deklaroi kapiteni i Chelseat.
Të dy golat e Arsenalit erdhën pas goditjeve nga këndi, ndërsa James pranoi forcën e kundërshtarit në situata të tilla.
“Ky është futbolli në vitin 2026, ndoshta 90 për qind e golave vijnë nga ndërprerjet. Ata janë ndër ekipet më të mira në botë për goditjet standarde. Janë shumë të vështirë për t’u ndalur dhe sot shënuan dy herë. Edhe ne realizuam një gol dhe patëm një tjetër mundësi, por nuk ishte dita jonë”, shtoi ai.
Sa i përket problemeve disiplinore që po e shoqërojnë Chelsean, James theksoi nevojën për reflektim dhe përmirësim të brendshëm.
“Kemi folur për këtë çështje disa herë. Çdo herë është një lojtar tjetër, jo i njëjti. Brenda skuadrës duhet ta analizojmë dhe të përmirësohemi. Është problem, sepse po luajmë në ligën më të fortë në botë. Me 11 kundër 11 është e vështirë, ndërsa me 10 lojtarë bëhet edhe më e komplikuar, pavarësisht kundërshtarit”, u shpreh James.
Në fund, ai ritheksoi besimin te skuadra dhe stafi teknik, duke shtuar se ekipi duhet të rikuperohet shpejt dhe të vazhdojë përpara pas kësaj disfate.


