
Jack Smith nën hetim nga SHBA për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Jack Smith, ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Hagë që ngriti aktakuzat ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është duke u hetuar nga Zyra e Këshillit Special të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Hetimet lidhen me dyshimet se Smith ka keqpërdorur pozitën e tij qeveritare për qëllime politike.
Zyra e Këshillit Special të SHBA-së ka konfirmuar nisjen e një hetimi ndaj Jack Smith, i cili më parë ka shërbyer si këshilltar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë dhe si kryeprokuror i Gjykatës Speciale në Hagë. Dyshimet përfshijnë shkelje të “Dekretit Hatch” – një ligj që ndalon zyrtarët federalë të përfshihen në aktivitete politike gjatë ushtrimit të detyrës.
Smith udhëhoqi hetimet kundër ish-presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me përpjekjet e tij të pretenduara për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Hetimet e Smith ishin të parat në historinë e SHBA-së që çuan një ish-president përballë akuzave penale. Tani, ai vetë është objekt i hetimeve për përdorim të mundshëm të pozitës dhe resurseve shtetërore për qëllime politike, me ndikim të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur disa media amerikane raportojnë se ish-presidenti Trump dhe rrethi i tij kanë filluar të marrin masa kundër kundërshtarëve politikë dhe atyre që kanë luajtur rol në hetimet dhe akuzat ndaj tij.
Zyra e Këshillit Special nuk ka të drejtë të ngritë aktakuza vetë, por mund të referojë rastet në gjykatat kompetente nëse konstaton shkelje ligjore.
Përpara se të merrej me hetimin ndaj Trump-it, Jack Smith udhëhoqi ngritjen e aktakuzave ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai mori mandatin si kryeprokuror i kësaj gjykate në vitin 2018, pas largimit të David Schwendiman. Aktakuza e parë e përgatitur nga Smith ishte ajo ndaj Salih Mustafës. Smith u largua nga kjo pozitë pas katër vjetësh, përpara se të fillonin proceset gjyqësore.
Jack Smith ka qenë pjesë e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së për 16 vjet dhe është emëruar në Gjykatën Speciale të Kosovës më 7 maj 2018, ndërsa e filloi zyrtarisht punën më 11 shtator të po atij viti. /rtk/


