Izraeli i jep fund sulmeve ndaj Hezbollahut në Libanin jugor

Izraeli i jep fund sulmeve ndaj Hezbollahut në Libanin jugor

Ushtria izraelite tha dje në mbrëmje se i kishte dhënë fund sulmeve ndaj objektivave ushtarake të Hezbollahut në Libanin jugor, pas një serie sulmesh që u kritikuan rëndë nga paqeruajtësit e OKB-së.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kishin shënjestruar depot e armëve nga njësia elitare “Radwan” e milicisë së mbështetur nga Irani, duke e akuzuar grupin për riarmatosje në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit.

“Depot e armëve u ndërtuan në mes të zonave ku jetojnë civilë”, thuhet në deklaratë.

Para sulmeve, IDF-ja u bëri thirrje banorëve të largoheshin nga ndërtesa të caktuara dhe rrethinat e tyre në pesë vende në jug të vendit.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve NNA, presidenti libanez Joseph Aoun i përshkroi sulmet si një “krim flagrant” të kryer nga Izraeli.

“Zonat e prekura përfshinin fshatrat Taybeh, Tir Dabba dhe Ayta al-Jabal”, thanë burimet libaneze të sigurisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, një person u plagos në sulmet në Tayr Debba.

Ministria libaneze e Shëndetësisë raportoi një të vdekur dhe tetë të plagosur në një sulm izraelit gjatë ditës pranë qytetit port të Tiros.

Tensionet midis Izraelit dhe Hezbollahut janë përshkallëzuar në javët e fundit, ndërsa Izraeli po rrit presionin për çarmatimin e plotë të milicisë, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Armëpushimi, teknikisht ka qenë në fuqi që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, por Izraeli akuzon Hezbollahun për riarmatosje dhe ka vazhduar sulmet pothuajse çdo ditë.

I dërguari amerikan, Tom Barrack dhe zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar së fundmi për masa shtesë nëse Hezbollahu nuk çarmatoset. /atsh/

Share This