
Trump në pasiguri për vendimin e Gjykatës Supreme mbi tarifat
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shfaqur hapur pasigurinë e tij lidhur me fatin e tarifave doganore, duke pranuar se nuk e di se si do të vendosë Gjykata e Lartë në një çështje pezull që sfidon ligjshmërinë e veprimeve të tij.
Në një konferencë për shtyp, Trump ofroi një mbrojtje të asaj që ai e cilësoi si “emergjencë ekonomike”, mekanizëm ky i përdorur për të vendosur tarifat. Sipas Presidentit, ligji është i qartë në favor të tij, duke argumentuar se qeveria ka autoritetin të kufizojë tregtinë përmes kërkesave për licenca dhe se tarifat, në këtë kontekst, mund të konsiderohen si masa “më pak të ashpra”.
Megjithatë, toni i tij ndryshoi kur foli për degën gjyqësore. “Nuk e di se çfarë do të bëjë Gjykata e Lartë,” theksoi Trump, duke lënë të hapur mundësinë e një disfate ligjore.
Pasojat e një humbjeje të mundshme
Presidenti paralajmëroi se një vendim kundër administratës së tij do të sillte ndërlikime të mëdha.
“Nëse e humbasim atë çështje, është e mundur që do të na duhet të bëjmë çmos për ta shlyer atë,” tha Trump, duke shtuar me skepticizëm: “Nuk e di se si do të bëhet kjo shumë lehtë pa dëmtuar shumë njerëz.”
Karta e Grenlandës dhe presioni ndaj Evropës
Përdorimi i tarifave emergjente është kthyer në një mjet kryesor negociues për administratën Trump. Përtej çështjes gjyqësore, Presidenti sinjalizoi një front të ri konflikti tregtar të shtunën.
Ai kërcënoi me vendosjen e tarifave ndaj tetë vendeve evropiane. Qëllimi i kësaj lëvizjeje të papritur lidhet me ambicien e tij gjeopolitike për Arktikun: Trump shpreson se presioni ekonomik do t’i detyrojë këto shtete të mbështesin idenë e pronësisë amerikane mbi Grenlandën. /RTSH/


