
Izraeli dhe Hamas dorëzojnë trupat e vrarë në kuadër të armëpushimit
Zyrtarë të spitalit në në Rripin e Gazës njoftuan se Izraeli ka dorëzuar trupat e 30 palestinezëve, një ditë pasi militantët palestinezë kthyen në Izrael mbetjet e dy pengjeve izraelite, sipas “AP”.
Trupat u pranuan nga Spitali “Nasser” në qytetin jugor të Khan Younis, por autoritetet nuk dhanë detaje mbi identitetin apo gjendjen e tyre.
]Ky këmbim i ndërsjellë i trupave dhe pengjeve shihet si një shenjë e përparimit të marrëveshjes së brishtë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, e cila ka hyrë në fuqi më 10 tetor. Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar pas disa sulmeve ajrore izraelite që kanë goditur pjesë të Gazës gjatë kësaj jave.
Para këtij zhvillimi, Izraeli kishte dorëzuar trupat e 195 palestinezëve pa dhënë informacione për identitetin e tyre. Ende nuk është e qartë nëse trupat e fundit i përkasin personave të vrarë në Izrael gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, të burgosurve që kanë vdekur në paraburgim, apo trupave të gjetur nga ushtria izraelite gjatë luftës në Gaza.
Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thonë se përballen me vështirësi për identifikim, për shkak të mungesës së pajisjeve për testim të ADN-së.
Hamasi ka dorëzuar deri tani mbetjet e 17 pengjeve, ndërsa 11 të tjerë ndodhen ende në Gaza dhe pritet të dorëzohen sipas kushteve të marrëveshjes. Ky proces po zhvillohet nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq dhe me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se Hamasit i ishte dhënë një afat 24-orësh për të tërhequr luftëtarët e mbetur nga zona e ashtuquajtur “zona e verdhë”, që ndodhet nën kontroll izraelit. Pas përfundimit të afatit, Izraeli pritet të zbatojë masat e armëpushimit dhe të godasë objektivat e Hamasit që nuk janë tërhequr.
Lufta, e nisur nga sulmi i 7 tetorit 2023 kur militantët e Hamasit vranë rreth 1 200 persona dhe morën 251 pengje në Izrael, ka rezultuar në mbi 68 600 të vrarë palestinezë sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Ministria nuk dallon mes civilëve dhe luftëtarëve, por të dhënat e saj konsiderohen përgjithësisht të besueshme nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Izraeli ka kundërshtuar këto shifra, pa ofruar një bilanc të vetin. /atsh/


