
“Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes”/ Ministrja Spiropali: Ambasadori shpirtëror i Shqipërisë në botë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali tha sot se Ismail Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë në një kohë kur vendi ishte i izoluar dhe i përbuzur, duke qëndruar në piedestal edhe në momentet më të vështira.
Spiropali foli gjatë aktivitetit të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë “Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes”, me rastin e botimit dhe promovimit të veprës me tri volume “Kadareja në kritikën botërore”, teksa vlerësoi rolin e tij të pazëvendësueshëm në historinë kulturore dhe evropiane të Shqipërisë.
Ajo theksoi se Kadare luftoi për Shqipërinë edhe atëherë kur vetë shqiptarët luftonin kundër tij, duke dëshmuar për botën ekzistencën e një populli evropian me identitet të fortë dhe zgjedhje të qarta.
“Kadare i shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimimit dhe qëndroi në atë piedestal edhe kur ishim të përbuzur, të harruar ai luftoi për ne dhe kur ne luftonim kundër tij. Nderojmë luftëtarin e paepur të Shqipërisë Evropiane, atë që i dëshmoi botës që në këto troje ekziston një popull evropian me mish dhe me thua që sa herë ka qenë i lirë ka zgjedhur Evropën. Përkujtojmë përmes një ekspozite të thjeshtë nga Arkiva e shtëpia emrin e kolosit të kulturës, humanist, patriot që për shqiptarët dha gjithçka dhe nuk mori asgjë. Në shumë gjuhë Kadare kapërceu izolimin, foli dhe shkruajti në emër të vendit të tij të mbyllur por jo të dorëzuar duke arritur të bëhej ambasadori shpirtëror i Shqipërisë në botë”, u shpreh Spiropali.
Gjatë aktivitetit u ekspozuan letërkëmbime me personalitete të mendimit në botë, botime të rralla të bibliotekës personale të shkrimtarit, artefakte dhe objekte autentike të Shtëpisë Studio Kadare. /rtsh/


