IKSHPK: Nënlloji H3N2 dominon tek rastet e Gripit A në Kosovë

IKSHPK: Nënlloji H3N2 dominon tek rastet e Gripit A në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka kryer analiza gjenetike të virusit të Gripit A në 22 mostra për të identifikuar nënllojet që po qarkullojnë në vend, duke bërë të ditur se shumica e rasteve i përkasin nënllojit H3N2.

“Sekuencimi i gjenomit të plotë të virusit të Gripit A është realizuar përmes teknologjisë së gjeneratës së re (Next Generation Sequencing – NGS) në platformën GridION të Oxford Nanopore Technologies (ONT)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sekuencimi u bë në 22 mostra të cilat paraprakisht ishin identifikuar me virusin e Gripit A përmes metodës RT-PCR gjatë periudhës 18 dhjetor 2025 – 14 janar 2026. Nga këto, 82% i përkisnin virusit H3N2, ndërsa pjesa tjetër (18%) ishte nënlloji H1N1. Për H3N2, të gjitha sekuencat e analizuara i përkasin “clade K” të virusit, i cili tashmë është identifikuar në të gjitha kontinentet dhe përbën rreth gjysmën e sekuencave të regjistruara për Evropën në bazën globale GISAID.

IKSHPK thekson se të dhënat tregojnë një divergjencë të konsiderueshme gjenetike të virusit në qarkullim krahasuar me shtamin e përfshirë në vaksinën e Gripit A(H3N2) të përdorur në hemisferën veriore. Megjithatë, sipas ECDC, të dhënat preliminare nga studimi VEBIS tregojnë se vaksinat sezonale të disponueshme në BE ofrojnë mbrojtje ndaj H3N2, me efektivitet që luhatet nga 52% në 57%.

IKSHPK nënvizon rëndësinë e vaksinimit sezonal për popullatat kyçe, duke theksuar se ofrimi i vaksinës sa më shpejt të jetë e mundur ndihmon në zvogëlimin e ndikimit të infeksioneve me Grip.

Rezultatet e sekuencimit janë në përputhje me mbikëqyrjen rajonale dhe globale, duke theksuar rolin kyç të teknologjisë NGS në monitorimin gjenomik të Gripit, identifikimin e nënllojeve dhe vlerësimin e nevojës për përditësimin e përbërjes së vaksinës sezonale.

Share This