
IKSHPK apelon për vaksinimin e fëmijëve: Vaksina MMR nuk shkakton autizëm
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka reaguar duke rikujtuar rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve si masë parandaluese ndaj shumë sëmundjeve infektive, si dhe si kundërpërgjigje ndaj informacioneve dezinformuese që po qarkullojnë kohëve të fundit.
Në reagimin e tij, IKSHPK ka theksuar se pretendimet se vaksina MMR shkakton autizëm janë të pavërteta dhe të pambështetura shkencërisht.
“Vitet e fundit janë përhapur disa informacione të pasakta që thonë se vaksina MMR shkakton autizëm. Kjo nuk është e vërtetë. Shkenca ka vërtetuar qartë se vaksina MMR nuk lidhet me autizmin. Këtë e konfirmojnë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe shumë studime ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë”, thuhet në reagim.
Instituti ka nënvizuar se falë vaksinimit, disa sëmundje të rënda janë zhdukur ose janë vënë nën kontroll.
“Vaksinimi ka ndikuar që sëmundje si paraliza e fëmijëve dhe rubeola e lindur të zhduken, ndërsa janë rralluar ndjeshëm difteria dhe tetanusi, si dhe fruthi është vënë nën kontroll”, thekson IKSHPK.
Më tej, Instituti ka apeluar tek prindërit që të vaksinojnë fëmijët e tyre, duke theksuar se mosvaksinimi paraqet rrezikun më të madh për shëndetin publik.
“Vaksinimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët nga sëmundje të rrezikshme. Rreziku më i madh për shëndetin vjen nga mosvaksinimi, jo nga vaksinat. Vaksina MMR mbron nga fruthi, shytat dhe rubella. Fruthi nuk është sëmundje e lehtë – ai mund të shkaktojë komplikime serioze si infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete”, përfundon reagimi.


