
IAEA: Nuk mund të verifikohet nëse Irani ka ndaluar pasurimin e uraniumit
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka raportuar se Irani nuk ka lejuar akses në objektet e tij bërthamore të goditura nga Izraeli dhe SHBAja gjatë Luftës 12-ditore të qershorit 2025, duke e bërë të pamundur verifikimin e programit të tij të pasurimit të uraniumit, sipas AP.
Raporti i konfidencial i IAEA-së, i shpërndarë tek shtetet anëtare, tregon se agjencia nuk mund të konfirmojë nëse Irani ka ndalur të gjitha aktivitetet e pasurimit apo madhësinë e rezervave të uraniumit të pasuruar.
Irani ka katër objekte të deklaruara të pasurimit, por mungesa e aksesit ka bërë që IAEA-ja të mos ketë informacion mbi madhësinë, përbërjen apo vendndodhjen e rezervave të uraniumit të pasuruar.
Agjencia thekson se kjo “mungesë vazhdimësie të njohurive” duhet të zgjidhet me urgjencë.
Sipas raportit, Irani mban një rezervë prej 440,9 kilogramësh uraniumi të pasuruar deri në 60%, një nivel teknikisht afër atij të armëve bërthamore (90%).
IAEA-ja paralajmëron se kjo mund të mundësojë ndërtimin e deri në 10 bombave bërthamore, nëse Irani vendos të militarizojë programin, por kjo nuk do të thotë se ai posedon aktualisht një armë.
Materiali i pasuruar duhet të verifikohet çdo muaj sipas udhëzimeve të IAEA-së.
Në mungesë të aksesit direkt, IAEA-ja ka përdorur imazhe satelitore për të monitoruar aktivitetin në objektet bërthamore, duke konstatuar lëvizje të rregullta në hyrjet e tunelit në Isfahan, ku ruhen materialet e pasuruara, si dhe aktivitet në Natanz dhe Fordow, pa mundur të konfirmojë natyrën e aktiviteteve.
IAEA-ja ka marrë pjesë gjithashtu në bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit në Gjenevë më 17 dhe 26 shkurt për verifikimin e programit bërthamor, por raundi i fundit i negociatave nuk përfundoi me një marrëveshje.
Bisedimet teknike do të vazhdojnë javën e ardhshme në Vjenë, ndërsa rreziku i një konflikti të ri në Lindjen e Mesme mbetet i lartë, pasi SHBA-ja ka grumbulluar një flotë të madhe avionësh dhe anijesh në rajon.
Irani insiston se programi i tij është paqësor dhe refuzon të ndalojë pasurimin e uraniumit apo të dorëzojë rezervat e tij të materialit të pasuruar. /atsh/


