Hykmete Bajrami: LDK nuk do të ndalet, do të rikthehet forcë e parë politike

Hykmete Bajrami: LDK nuk do të ndalet, do të rikthehet forcë e parë politike

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, duke kritikuar ashpër qeverisjen pesëvjeçare dhe duke theksuar nevojën për përgjegjësi politike.

Përmes një reagimi publik, Bajrami ka ironizuar fitoren e kundërshtarëve politikë, duke thënë se ajo erdhi pavarësisht mungesës së rezultateve konkrete dhe një sërë problemesh serioze që, sipas saj, e kanë shoqëruar qeverisjen.

Ajo ka përmendur përfshirjen e zyrtarëve nën aktakuza, nivelin e lartë të korrupsionit, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, degradimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nepotizmin institucional, shkeljet e Kushtetutës, inflacionin dyshifror si dhe atë që e ka cilësuar si “mafi energjetike”.

Bajrami u ka bërë thirrje votuesve për reflektim, duke theksuar se kjo është koha për të dhënë dhe për të marrë përgjegjësi politike.

Në të njëjtën kohë, ajo ka falënderuar votuesit dhe strukturat e LDK-së për besimin dhe përkushtimin e treguar, duke vlerësuar rolin e tyre në mbajtjen gjallë dhe të fortë të partisë.

“Ambicia ime e vetme ka qenë dhe mbetet shërbimi ndaj qytetarëve, rritja e LDK-së dhe interesi i shtetit,” ka theksuar Bajrami, duke shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të ndalet dhe se do të rikthehet forcë e parë politike përmes punës, besimit dhe ekipit.

Share This