
Hykmete Bajrami kritikon qeverinë Kurti: “Çmimet u rritën 300%, bizneset në vështirësi – punëtorët pa paga më të mira”
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj politikave ekonomike të Qeverisë Kurti, duke akuzuar ekzekutivin se ka rënduar bizneset vendore dhe ka dështuar të sigurojë përmirësim të kushteve të punëtorëve.
Bajrami thotë se rritja e çmimit të energjisë dhe tatimit në pronë ka goditur rëndë sektorin privat:
“Albini Kurti ua rriti bizneseve vendore çmimin e energjisë 300%, ua rriti tatimin në pronë dhe tani u thotë: ‘vendosa që ju t’ua rritni pagat punëtorëve’,” shkroi ajo, duke theksuar se rritja e kostove nuk përkthehet në pagë më të mirë për punonjësit.
Ajo ka kujtuar edhe grevën e vitit të kaluar të punëtoreve të një kompanie private që mirëmbante ndërtesën e Kuvendit, të cilat kërkonin pagën minimale prej 350 euro:
“Mbajtën grevë më shumë se dy muaj, vetëm 100 metra larg zyrës së Kryeministrit, dhe sot shumica prej tyre janë pa punë.”
Sipas Bajramit, këto gra – të cilat sot janë ende pa siguri ekonomike – do të kenë mundësinë të japin verdiktin e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit:
“Edhe ato sot e lexojnë statusin e Albin Kurtit për pagën minimale dhe kanë të drejtë vote më 28 dhjetor.”
Postimi i plotë i Bajramit:
Albini Kurti ua rriti bizneseve vendore çmimin e energjisë 300 %, ua rriti tatimin në pronë dhe tani u thotë: “Pasi unë jua rrita këto kosto, vendosa që ju t’ua rritni pagat punëtorëve”.
Bizneset detyrohen ta paguajnë energjinë 300% më shtrenjtë dhe tatimin në pronë më të lartë, por kur vjen puna te pagat, situata është krejt ndryshe.
A ju kujtohet para një viti greva në oborr të Kuvendit, e grave që punonin për një kompani private që mirëmbante ndërtesën e Kuvendit?
Ato gra kërkonin pagën minimale të caktuar nga Kurti në atë kohë – 350 euro.
Mbajtën grevë më shumë se dy muaj në oborr të Kuvendit, 100 metra larg zyrës së Kryeministrit, dhe sot shumica e tyre janë pa punë.
Edhe ato sot e lexojnë statusin e Albin Kurtit për pagën minimale dhe ato kanë të drejtë vote me 28 dhjetor.


