Hyjnë në fuqi tarifat e Kanadasë ndaj SHBA-së, Trump kërcënon Bombardier

Hyjnë në fuqi tarifat e Kanadasë ndaj SHBA-së, Trump kërcënon Bombardier

Tarifat hakmarrëse të Kanadasë ndaj mallrave amerikane kanë hyrë në fuqi këtë të martë (8 shtator), duke përshkallëzuar më tej luftën tregtare mes dy vendeve. Masat prekin importe amerikane me vlerë rreth 20 miliardë dollarë dhe parashikojnë tarifa nga 15% deri në 50% për qindra produkte.

Tarifat e reja përfshijnë çelikun dhe aluminin amerikan, për të cilët norma është rritur në 50%, si dhe një gamë të gjerë produktesh, mes tyre pajisje shtëpiake, produkte bujqësore, letër, materiale ndërtimi, elektronikë dhe produkte ushqimore.

Kundërmasat e Otavës vijnë si përgjigje ndaj tarifave të vendosura nga administrata e presidentit Donald Trump ndaj produkteve kanadeze. Të dyja palët kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje pas ndërprerjes së negociatave tregtare muajin e kaluar.

Përplasja u përshkallëzua edhe më tej të hënën, kur Trump kërcënoi se Bombardier, prodhuesi kanadez i avionëve, nuk do të lejohet të shesë avionët e tij në Shtetet e Bashkuara nëse kompania nuk nis prodhimin në territorin amerikan.

Trump kërkoi gjithashtu që Kanadaja të hapë më tej tregun e saj për kompanitë amerikane. Bombardier ka një prani të konsiderueshme në SHBA dhe punon me mijëra furnitorë amerikanë.

Kryeministri kanadez Mark Carney ka qëndruar i vendosur në mbrojtje të kundërmasave të Otavës dhe ka paralajmëruar se Kanadaja do t’i përgjigjet çdo mase të re tregtare të ndërmarrë nga administrata Trump. /rtsh/

Share This