
Hoxhaj paralajmëron krizë institucionale: Kosova rrezikon destabilizim politik
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar për zhvillimet politike në Kosovo, duke paralajmëruar për një krizë serioze institucionale dhe rrezik për destabilizim të rendit politik.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, ai theksoi se vendi po hyn në një fazë të rrezikshme ku institucionet po paralizohen njëra pas tjetrës.
“Nëse dikush ka menduar se rënia në kaos nuk ndodh menjëherë, e ka pasur gabim. Vitin e kaluar e mbyllëm pa një Kuvend me funksion të plotë dhe pa një Qeveri me mandat demokratik. Pas dy javësh rrezikojmë të mbetemi edhe pa një President legjitim”, ka shkruar Hoxhaj.
Sipas tij, situata politike në vend është duke u përkeqësuar dhe rrezikon të çojë drejt një gjendjeje të paqëndrueshme.
“Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia”, theksoi ai.
Hoxhaj kritikoi edhe mënyrën se si po menaxhohet situata politike në vend, duke vlerësuar se interesat shtetërore po sakrifikohen për interesa të ngushta politike.
“Në një moment kur bota përballet me sfida të mëdha që përcaktojnë fatin e kombeve, qeveria e Kosovës po luan me shtetin, duke sakrifikuar interesin kombëtar për ego të vogla politike dhe ambicie personale”, u shpreh Hoxhaj.
Ai shtoi se zhvillimet aktuale nuk përbëjnë më vetëm një krizë politike, por një dobësim të rrezikshëm të shtetit.
“Kjo nuk është më thjesht krizë politike, por një rrëshqitje e rrezikshme që po e dobëson Kosovën nga brenda dhe jashtë”, tha ai.
Në fund, Hoxhaj paralajmëroi edhe për rrezikun e humbjes së vëmendjes ndërkombëtare.
“Historia nuk fal kur një komb humb shansin për të ecur përpara. Nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare, të humbasë vëmendjen e aleatëve dhe mundësitë strategjike për zhvillim dhe integrim”, përfundoi ai.

