
Mot i qëndrueshëm në Shqipëri, era forcohet në bregdet
Shqipëria do të përfshihet sot nga kushte atmosferike të qëndrueshme, me mot që do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Vranësirat pritet të jenë herë pas here mesatare dhe kalimtare, kryesisht në zonat kodrinore dhe malore.
Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare, veçanërisht në jugperëndim, si dhe në zonat luginore, ajo do të forcohet deri në 16 m/s.
Në det, parashikohet valëzim me forcë 2–4 ballë, ndaj lundrimi mund të jetë më i vështirë në zonat ku era do të jetë më e fortë.
Në përgjithësi, dita pritet të jetë e qëndrueshme dhe kryesisht e kthjellët, me vranësira kalimtare në relievet kodrinore-malore.

