
Hoti paralajmëron pasoja të rënda pas vendimit të ZRrE-së: Rrezikohet ekonomia, investimet dhe punësimi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për daljen në treg të lirë të energjisë për bizneset, i cili hyn në fuqi nesër.
Sipas tij, ky vendim do të ketë pasoja të mëdha për ekonominë e vendit.
Hoti ka paralajmëruar se ky veprim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e pasigurisë për furnizim me energji për bizneset, largimin e investitorëve ekzistues, dhe dekurajimin e investimeve të reja, si nga ana vendore ashtu edhe nga ajo ndërkombëtare.
“Vendimi i ZRrE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese ka krijuar pasiguri të madhe. Kjo gjendje është e pakuptimtë dhe do të duhej të mbaheshin konsultime dhe përgatitje paraprake. Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve, rritje e kostove të bizneseve, humbje e konkurrueshmërisë së produkteve tona dhe rritje e papunësisë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka akuzuar ZRrE-në dhe qeverinë për vendimmarrje të njëanshme dhe të pakoordinuar me komunitetin e biznesit, duke i cilësuar si të “futur në një agjendë që nuk është në interes të Kosovës”.
Sipas Hotit, si pasojë e këtij vendimi, do të ndodhë përkeqësim i bilancit tregtar dhe tregu vendor do të pushtohet nga produktet e huaja, duke i vënë në pozitë të pafavorshme bizneset vendore. /Rekordi.net

