
Hoti kritikon Qeverinë: Nuk ka masa për të ulur koston e jetesës, qytetarët po e paguajnë faturën
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e masave që, sipas tij, do të ndihmonin në lehtësimin e kostos së jetesës për qytetarët.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti e krahasoi qasjen e institucioneve në Kosovë me atë të Mbretërisë së Bashkuar dhe disa vendeve të Bashkimit Evropian, duke theksuar se këto shtete kanë ndërmarrë masa për uljen e barrës financiare mbi familjet, përfshirë reduktimin e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë.
Sipas tij, në Kosovë ka ndodhur e kundërta.
“Jo vetëm që nuk janë ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë, por energjia është shtrenjtuar disa herë. Edhe rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare është bartur drejtpërdrejt te konsumatori, ndërsa përmes vendosjes së çmimit maksimal ditor, Qeveria e ka transferuar zyrtarisht këtë barrë te qytetarët”, ka shkruar Hoti.
Ai vlerësoi se mungesa e reagimit institucional po krijon pasoja që shkojnë përtej ndikimit të menjëhershëm ekonomik.
Sipas Hotit, kur çmimet e produkteve dhe shërbimeve bazë, si energjia, rriten ndjeshëm, familjet detyrohen të shkurtojnë shpenzimet për fusha të rëndësishme si arsimi, shëndetësia, ushqimi cilësor, kultura dhe rekreacioni, duke rrezikuar mirëqenien dhe zhvillimin afatgjatë, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta.
Ai theksoi se në situata të tilla shteti duhet të ndërhyjë përmes politikave fiskale që zbusin barrën ekonomike për qytetarët.
“Në raste të tilla është jetike që qeveria të marrë përsipër një pjesë të kostos së rritur të jetesës përmes uljes së ngarkesave tatimore. Kjo është një kosto më e vogël për shtetin sesa pasojat afatgjata që mund të shkaktojë varfërimi i familjeve”, u shpreh Hoti.
Në fund, ai theksoi se suksesi i një qeverie nuk duhet të matet vetëm me të hyrat që mbledh në buxhet, por me nivelin e mirëqenies dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

