
Hoti i kundërpërgjigjet Kurtit: Jemi problem për ty sepse t’i demaskuam mashtrimet
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i është kundërpërgjigjur deklaratave të kandidatit për kryeministër të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili gjatë hapjes së fushatës në Mitrovicë ka sulmuar Hotin dhe deputeten Hykmete Bajrami në lidhje me menaxhimin e buxhetit të shtetit.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Hoti ka theksuar se sulmet e Kurtit ndaj tij dhe Bajramit janë pasojë e opozitarizmit të tyre, i cili, sipas tij, ka nxjerrë në pah mangësitë dhe mashtrimet e qeverisjes aktuale.
“Për Kurtin, unë dhe Hykmete N. Bajrami jemi problem, sepse për pesë vite e kemi demaskuar mashtrimin e tij dhe të ministrave të tij. Atë që e ka bërë LDK-ja, Hykmetja dhe unë në qeverisjen tonë mbahet mend nga qytetarët dhe bizneset. Që nga ajo kohë, ekonomia ka pësuar vetëm regres”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se është i bindur se, siç u shpreh, “mendësia e pazareve të WhatsApp-it” do të marrë fund më 28 dhjetor, pasi qytetarët, sipas tij, nuk i durojnë më mashtrimet.


