Hoti: Asgjë e re nga Osmani, vetëm hipokrizi e radhës

Hoti: Asgjë e re nga Osmani, vetëm hipokrizi e radhës

Avdullah Hoti që si kryeministër i Kosovës, më 4 shtator të 2020-ës kishte vënë firmën e tij në marrëveshjen e Uashingtonit, i ka reaguar presidentes së shtetit, Vjosa Osmani, e cila tha se kjo marrëveshje është zbatuar. Ish-kryeministri e ka quajtur këtë “vetëm hipokrizi e radhës”.

Sipas tij, Osmani, dikur e quante Marrëveshjen e Uashingtonit cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin.

“Asgjë e re nga Osmani, vetëm hipokrizi e radhës! Osmani, që dikur e quante Marrëveshjen e Uashingtonit cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin, sot – pas 5 vitesh – e quan “marrëveshje të mirë” dhe madje pretendon se “e kemi zbatuar’, shkroi në reagimin e tij, Hoti.

Sipas Hotit, që tash është deputet i LDK-së, kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror.

“Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme. Jo, ti e Kurti nuk e keni zbatuar këtë marrëveshje. E keni luftuar atë. Tani po mundoheni ta përvetësoni kur kanë ndryshuar rrethanat politike në SHBA. Ky është kulmi i mashtrimit politik”, ka shkruar ish-kryeministri Hoti, raporton rtk.

Më 4 shtator 2020 në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, Avdullah Hoti, atëbotë si kryeministër i Kosovës e Aleksandër Vuçiq si president i Serbisë në prani të presidentit amerikan Donald Trump, nënshkruan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, nënshkrim që e pasoi edhe njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Share This