
Haxhiu: Opinioni i GJND-së gurthemel i shtetësisë së Kosovës
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e cilësuar atë si një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.
Në një reagim publik, Haxhiu theksoi se opinioni i GJND-së, i publikuar më 22 korrik 2010, konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, raporton rtk.
Sipas saj, ky vlerësim i Gjykatës mbetet një referencë e rëndësishme juridike dhe politike në afirmimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe në forcimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.
Më 22 korrik 2010, GJND-ja në Hagë hodhi poshtë pretendimet se shpallja e pavarësisë kishte shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare, duke vlerësuar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk binte ndesh me të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.
Opinioni këshillëdhënës u dha pas kërkesës së Serbisë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila kishte kërkuar nga Gjykata një vlerësim mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

