Haxhiu kërkon dënimin e retorikës serbe

Haxhiu kërkon dënimin e retorikës serbe

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq.

Haxhiu ka thënë se derisa familjet në Kosovë presin zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga regjimi i Millosheviqit, zyrtarët serbë vazhdojnë me deklarata që, sipas saj, mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe ripërtërijnë pretendimet ndaj territorit të saj.

“Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj paqes dhe normalizimit, ndërsa nuk hap arkivat për personat e zhdukur, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si territor të vetin. Përballja me të kaluarën dhe respektimi i sovranitetit të shteteve fqinje janë kushte themelore për paqe të qëndrueshme në rajon”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Kosova është shtet i pavarur që nga 17 shkurti i vitit 2008.

“Kosova është njohur nga 121 shtete, është anëtare e dhjetëra organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë dhe vazhdon ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare. Ky realitet nuk zhbëhet me deklarata politike”, ka shtuar Haxhiu, raporton rtk.

Haxhiu u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të dënojnë, siç u shpreh ajo, gjuhën shoviniste, revizioniste dhe nxitëse.

“Pretendimet territoriale ndaj një shteti fqinj dhe retorika që përsërit narrativat e regjimit të Millosheviqit nuk kanë vend në Evropën e shekullit XXI dhe nuk duhet të trajtohen si deklarata të zakonshme politike. Republika e Kosovës është shtet sovran dhe demokratik, i ndërtuar mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe i orientuar drejt integrimit euroatlantik. As Vuçiqi, as Bërnabiqi dhe asnjë ideologji e dështuar e së kaluarës nuk mund ta zhbëjnë këtë realitet”, ka potencuar Haxhiu.

Share This