
Haradinaj nga Reçaku: Po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, jo autorët e krimeve në Kosovë
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe sot në 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, duke nderuar viktimat e kësaj ngjarjeje që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.
Me këtë rast, Haradinaj ka folur edhe për proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i cilësuar ato si padrejtësi, përderisa autorët e krimeve në Kosovë, sipas tij, vazhdojnë të mos mbajnë përgjegjësi.
“E vërtetë është që nuk është vendosur drejtësia për masakrat në Kosovë, jo vetëm për Reçakun, por edhe për Mejën dhe shumë të tjera. Po ashtu është e vërtetë që vazhdojnë të gjykohen udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa nuk gjykohen ata që i kanë kryer krimet anë e mbanë Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se në mbarë Kosovën janë kryer masakra që ende presin drejtësi, duke e quajtur këtë një akuzë të hapur ndaj ndërgjegjes ndërkombëtare.
Haradinaj ka shprehur edhe nderimet për viktimat e masakrës së Reçakut, duke e cilësuar këtë ngjarje si një moment kyç që ktheu vëmendjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejt krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë.
“Sot nderojmë të rënët për liri, në vendin e masakrës së Reçakut, masakrës që ktheu vëmendjen e NATO-s dhe Amerikës për krimet serbe në Kosovë. I jemi mirënjohës UÇK-së dhe të gjithë brezave që luftuan për liri. Përkulemi me respekt para të rënëve, ashtu siç përkulemi në Prekaz dhe kudo ku ranë bijtë dhe bijat e Kosovës për lirinë e saj”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shprehur mirënjohje të përhershme ndaj NATO-s dhe SHBA-së për ndihmën vendimtare që, sipas tij, i dha Kosovës lirinë që e gëzon sot.


