
Haradinaj nga Klina: Mbështetja për AAK-në po rritet në çdo qytet
Kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mbështetja për këtë parti po vazhdon të rritet në mbarë vendin, duke theksuar se kësaj here Klina e ka pritur AAK-në me besim dhe përkrahje të sinqertë.
“Mbështetja për AAK-në po vazhdon të rritet në çdo qytet. Klina na priti me besim të madh, përkrahje të sinqertë dhe gatishmëri për të ecur përpara”, ka deklaruar Haradinaj.
Krahas pamjeve të publikuara nga takimi me qytetarët, Haradinaj ka bërë të ditur se para klinasve është prezantuar plani katërvjeçar i AAK-së, i cili, sipas tij, është ndërtuar mbi nevojat reale të qytetarëve.
“Para qytetarëve të Klinës prezantuam planin tonë 4-vjeçar, një vizion i ndërtuar mbi nevojat reale të njerëzve, që prek jetën e individit, fuqizon familjen dhe forcon interesin e përbashkët. Një plan që flet për stabilitet, zhvillim dhe perspektivë të qëndrueshme”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se Klina është krah një vizioni që synon një Kosovë më të qëndrueshme, më të fortë dhe me një rrugë të qartë drejt së ardhmes.


