
Hamza prezanton pakon sociale: Askush nuk do të lihet pas
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar sot një video në të cilën ka prezantuar pakon e tij sociale, duke theksuar se kujdesi i shtetit duhet të ndihet pikërisht në momentet kur qytetarët kanë më së shumti nevojë.
“Çdo qytetar duhet ta ndjejë kujdesin e shtetit, pikërisht atëherë kur ka më së shumti nevojë,” ka deklaruar Hamza, duke paralajmëruar masa konkrete për të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Sipas tij, programi qeverisës i PDK-së parasheh krijimin e Fondit të Papunësisë, i cili do të ofrojë mbështetje të menjëhershme për qytetarët që humbin vendin e punës, si dhe themelimin e Gjykatës së Punës, me qëllim garantimin e drejtësisë për punëtorët pa zvarritje shumëvjeçare të proceseve gjyqësore.
Hamza ka theksuar se në kuadër të pakos sociale do të ketë mbështetje të veçantë për lehonat, duke u garantuar siguri financiare dhe trajtim dinjitoz, si dhe barna falas për qindra mijëra qytetarë që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e programit, sipas tij, është krijimi i Fondit të Bursave për Studentë, me vlerë prej 30 milionë eurosh, me synim mbështetjen e të rinjve në arsimim, zhvillim profesional dhe ndërtimin e së ardhmes.
“Me mua Kryeministër, asnjë qytetar nuk do të lihet pas. Ky është misioni im,” ka përfunduar Hamza mesazhin e tij, duke e mbyllur me sloganin e fushatës: “Bashkë. Përpara.”


