
Haradinaj nga Juniku: Shteti duhet të jetë krah qytetarit
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas tubimit që kjo parti ka mbajtur sot në Junik.
Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë tubimit është folur për problemet dhe hallet e përditshme të qytetarëve, si dhe për sfidat që, sipas tij, po i rëndojnë familjet kosovare.
Në postimin e tij, ai ka theksuar rëndësinë historike dhe kombëtare të Junikut, duke e cilësuar këtë qytet si simbol të qëndresës dhe krenarisë.
“Malet dhe kullat e Junikut janë frymë e qëndresës dhe e krenarisë kombëtare dhe pikërisht me gjithë këtë madhështi, ky qytet sot na priti”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se në tubim është diskutuar për nevojën urgjente që shteti të jetë më afër qytetarëve, duke përmendur çështje si siguria, zhvillimi ekonomik dhe dinjiteti i punëtorëve.
“U fol për të rinjtë që kërkojnë perspektivë në vendin e tyre, për dinjitetin e punëtorit, për bujkun, mësuesin, mjekun, veteranin dhe për secilin që e mban këtë vend gjallë me punë e sakrificë”, ka deklaruar ai.
Në fund, Haradinaj ka falënderuar qytetarët e Junikut për mikpritjen dhe mbështetjen e dhënë gjatë tubimit.
“Junik, faleminderit për mikpritjen, për besimin dhe për forcën që na dhatë!”, ka përfunduar Haradinaj.


