
Hamza takon raportuesin e PE-së, Riho Terras: Kosovës i duhen institucione funksionale për të avancuar drejt BE-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe nevojën për tejkalimin e ngërçit institucional.
Sipas njoftimit të PDK-së, Hamza e falënderoi Terras për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës, duke vlerësuar edhe raportin e fundit të Parlamentit Evropian, i cili riafirmon perspektivën evropiane të vendit dhe mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit u pajtuan se raporti i Parlamentit Evropian përbën një mesazh të qartë mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht edhe një thirrje që vendi të kapërcejë sa më shpejt krizën politike dhe të funksionalizojë institucionet.
Hamza theksoi se Partia Demokratike e Kosovës ndan shqetësimin e shprehur në raport lidhur me zvarritjen e krijimit të institucioneve funksionale, duke nënvizuar se vendit i nevojitet një qeverisje efektive që merr vendime, zbaton reforma dhe forcon besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Stabiliteti nuk nënkupton vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisjen demokratike, dialogun politik dhe respektimin e Kushtetutës”, citohet të ketë thënë Hamza.
Në përfundim të takimit, kreu i PDK-së shprehu mirënjohje për rolin e eurodeputetit Riho Terras dhe të Parlamentit Evropian në mbështetje të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes për rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

