Hamza takon mësimdhënësit, premton rritje 50% të pagave

Hamza takon mësimdhënësit, premton rritje 50% të pagave

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, është takuar sot me mësimdhënësit e komunave të ndryshme të Kosovës, para të cilëve premtoi se me planin e tij qeverisës pagat e personelit arsimor në të gjitha nivelet do të rriten për 50%.

Bedri Hamza, i cili për zgjedhjet parlamentare po kandidon për kryeministër të vendit nga Partia Demokratike e Kosovës, i ka mirëpritur sot në takim mësimdhënësit nga komunat e ndryshme të vendit. Me këtë rast, Hamza tha se nuk mund të ketë shtet të zhvilluar e as ekonomi stabile nëse nuk investohet në arsim.

“Mësuesit nuk duhet të mendojnë nëse u del paga për të kaluar muajin. Arsimtarët dhe profesorët nuk duhet të ndihen të nënvlerësuar. Punëtorët e arsimit duhet të kenë siguri dhe dinjitet në punën e tyre”, tha Hamza.

Ai shtoi se ai është duke garuar me një program që përfshin përmirësimin e të gjitha fushave jetësore, por se arsimi është prioritet.

“STOP krizës, PO ndryshimit! PO ndryshimit për një arsim që i respekton mësimdhënësit dhe e mbështet çdo punëtor të dijes: me paga më të larta, me kushte më të mira dhe me vlerësim të merituar për punën e tyre”, theksoi Hamza, raporton rtk.

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, premtoi digjitalizimin e sistemit arsimor, përmirësimin e kurrikulave arsimore dhe shtimin e kabineteve shkencore në shkollat e mesme dhe ato fillore.

Share This