
Hamza: Premton hapje, unitet dhe drejtim të ri në PDK
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot Konventën e 12-të zgjedhore, në të cilën Bedri Hamza është zgjedhur kryetari i ri i PDK-së, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.
Hamza, në fjalimin e tij të parë si kryetar, falënderoi delegatët dhe anëtarësinë për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se do t’i prijë partisë me përkushtim, përgjegjësi dhe vizion të qartë.
“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, u shpreh Hamza.
Ai tha se Kosova tani ka nevojë për një PDK të bashkuar, të hapur dhe të afërt me qytetarët.
“Do ta hapim partinë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona, do të përfshijmë më shumë të rinj dhe do të ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë që i duhet Kosovës. Ne do të ecim vetëm përpara, me guxim dhe vendosmëri”, tha kryetari i sapozgjedhur.
Hamza u zotua se do t’i japë partisë “gjithçka që mundet”, duke falënderuar anëtarësinë për angazhimin dhe besimin.
“Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK”, përfundoi ai.


