Hamza: PDK-ja hyn në fazë të re riorganizimi, zgjedhjet e brendshme të domosdoshme

Hamza: PDK-ja hyn në fazë të re riorganizimi, zgjedhjet e brendshme të domosdoshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se PDK-ja po hyn në një fazë të re riorganizimi, duke theksuar se zgjedhjet e brendshme janë një hap i domosdoshëm për forcimin e partisë.

Hamza ka njoftuar se për këtë proces ka diskutuar edhe me kryetarët e degëve, duke vënë theksin në nevojën për një PDK më të fortë, më të hapur dhe më të organizuar.

“PDK-ja po hyn në një fazë të re riorganizimi. Zgjedhjet e brendshme, për të cilat sot diskutova edhe me kryetarët e degëve, janë hap i domosdoshëm për forcimin e PDK-së. Ne synojmë më shumë, sepse Kosova ka nevojë për më shumë. Ka nevojë edhe për një PDK më të fortë, më të hapur dhe më të organizuar. Kjo kërkon punë të vazhdueshme, degë aktive dhe hapësirë më të madhe për të rinjtë, në çdo nivel të partisë. Kjo është rruga për një PDK më afër qytetarëve dhe gjithnjë në shërbim të Kosovës”, ka shkruar Hamza në Facebook.

Sipas tij, riorganizimi i brendshëm dhe aktivizimi i strukturave në terren janë thelbësore për ta afruar partinë më shumë me qytetarët dhe për ta forcuar rolin e saj në skenën politike të vendit.

Share This