LVV premton miliarda euro investime në mbrojtje, arsim e shëndetësi

LVV premton miliarda euro investime në mbrojtje, arsim e shëndetësi

Në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin përmbyllës. Para të pranishmëve, kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, u zotua se do të punojë për mirëqenien e qytetarëve, teksa premtoi investime miliardëshe në mbrojtje, arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe fusha të tjera.

Kurti theksoi se gjatë mandatit të kaluar kanë mbyllur 62 institucione serbe, 37 rrugë ilegale, kanë shkatërruar laboratorë droge dhe kanë konfiskuar armë e municion.

Me këtë rast, Kurti kërkoi nga qytetarët mbështetje masive, në mënyrë që, sipas tij, mazhoranca pas këtyre zgjedhjeve të jetë më e madhe dhe më e fortë.

“Nuk e keni kollaj, por ata 10 që ua kanë mbushur mendjen pak më shumë, gjithashtu i votoni menjëherë pas numrit 116, pasi na duhet një mazhorancë edhe më e madhe e më e fortë në mandatin e ardhshëm. Mandati i kaluar ishte mandat në të cilin 80 mijë gra kanë marrë mbështetje financiare për shkak se kanë lindur fëmijë si gra lehona, për herë të parë në jetën e tyre. Dy të tretat e tyre ishin të papuna. Mbi 400 mijë fëmijë nga mosha 0 deri në 16 vjeç kanë marrë shtesa për fëmijë, edhe ata për herë të parë në jetën e tyre…”, ka thënë Kurti.

Tutje Kurti deklaroi se gjatë mandatit të tyre raportet ndërkombëtare kanë treguar se në të gjitha fushat ka pasur progres në Kosovë.

Në tubimin e Vetëvendosjes morën pjesë edhe përfaqësues dhe akterë politikë nga shtete të tjera të rajonit dhe Evropës. /rtk/

Share This