Hamza, Muratit: Buxheti i planifikuar keq dhe pa targetim social

Hamza, Muratit: Buxheti i planifikuar keq dhe pa targetim social

Deputeti i PDK-së, njëherësh kryetar i këtij subjekti politik ka replikuar në kundërpërgjigjen që i bëri ministri i Financave, Hekuran Murati rreth rritjes ekonomike.

“Ministër kam qenë edhe në vitin 2011, kur rritja ekonomike reale ka qenë 6.32; ministër isha edhe në vitin 2017, kur rritja reale ka qenë 4.83; ministër isha edhe në vitin 2019, kur rritja ekonomike reale ka qenë 4.76. Kur e marrim mesataren, ku je ti dhe ku jam unë, dalim më lart ne. Ju thatë se niveli i rritjes ekonomike është si rezultat i mosfunksionimit të Kuvendit, pajtohem edhe për institucionet, por faktori dhe përgjegjësi jeni ju. Ju jeni ndodhur në shkelje kushtetuese dhjetëra herë me veprimet tuaja që nuk keni lejuar të bëhen institucionet dhe të ecet tutje”, tha Hamza.

Ai tutje tha se asnjëherë nuk e mohon atë që ka ndodhur, rritjen e pagave e shtesat për cilëndo kategori dhe se ato i mirëpret.

“Mirëpo, te shpërndarja e parave duhet të jetë e targetuar për kategoritë që të nxirren nga rastet sociale dhe të mos vazhdojnë të jenë në raste sociale, ndërsa mbështetja duhet të jetë me ligj dhe transparente. E thatë që edhe aktualisht ka mungesë apo disproporcion mes të hyrave të planifikuara dhe të realizuara, edhe me këto çmime të rritura e keni këtë situatë. Atëherë e paskeni pasur keq planifikimin e buxhetit”, shtoi Hamza.

Ai i propozoi ministrit Murati që të hyrat e realizuara si rezultat i rritjes së çmimeve, në momentin e planifikimit të buxhetit dhe tani, t’i përdorin për përkrahjen e qytetarëve të Kosovës.

“Vetëm merreni çmimin kur e keni propozuar buxhetin në muajin tetor dhe krahasojeni me atë që është tani; dallimin e këtyre të hyrave përdoreni me qëllim të mbrojtjes së standardit të jetesës. Po ashtu, mos u kufizoni vetëm te sasia dhe importet në vëllim për 15 ditët e fundit, por kthehuni edhe nga 1 janari, dhe do të rezultojë se në vëllim keni pasur import më të madh të naftës sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, nënvizoi Hamza, raporton rtk.

Share This