
Halimi i përgjigjet Muratit: Mashtrimi po mbaron!
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që votimi i diasporës të mund të zhvillohet edhe jashtë hapësirave të ambasadave dhe konsullatave të Kosovës.
Vendimi ka shkaktuar reagime të menjëhershme politike, me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili akuzoi Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) se po vepron kundër diasporës.
Murati deklaroi se LDK-ja ka paraqitur ankesë për ta bllokuar lehtësimin e votimit jashtë misioneve diplomatike, duke pretenduar se partia po synon të pengojë pjesëmarrjen e mërgatës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Mirëpo, reagimi i LDK-së nuk vonoi. Deputetja Sibel Halimi iu kundërpërgjigj Muratit, duke e quajtur akuzën një manipulim të radhës nga partia në pushtet.
“Të deklarosh se LDK është kundër diasporës është vetëm kauza e radhës e rreme, për të mbuluar panikun para zgjedhjeve dhe hipokrizinë permanente të partisë në pushtet. Edhe kur koordinohen njëzëri për ta goditur LDK-në, kot e kanë — çdo maskë e tyre tashmë ka rënë. Qytetarët po rikthehen në mbrojtje të shtetit. Mashtrimi po mbaron!”, u shpreh Halimi.
Përplasja mes VV-së dhe LDK-së vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa çështja e votimit të diasporës mbetet një nga temat më të nxehta të fushatës.


