
Gyokeres kryen testet mjekësore, niset drejt Singapor-it
Sipas “Sky Sports”, sulmuesi suedez Viktor Gyokeres është tashmë në udhëtim drejt Singaporit, ku do t’i bashkohet shokëve të tij të rinj te Arsenali, pasi ka kaluar me sukses kontrollin mjekësor këtë të shtunë në mëngjes.
Transferimi i tij shënon fundin e një sage të gjatë negociatash me Sporting Lisbonën, që në një moment rrezikoi të dështonte. Megjithatë, më në fund, palët arritën marrëveshjen.
“Topçinjtë” do të paguajnë 63.5 milionë euro, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 10 milionë euro të tjera në formë bonusesh, për sulmuesin që ka 26 paraqitje me kombëtaren e Suedisë.
Arsyeja kryesore e këtij transferimi ishte nevoja e Arsenalit për të shtuar forcën në fazën sulmuese, dhe me transferimin e Gyokeres, trajneri Mikel Arteta shton një ‘armë’ të re në repartin ofensiv në prag të sezonit të ri.


