
Guardiola: Ndeshja me Arsenal mund të vendosë titullin
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, e ka cilësuar përballjen ndaj Arsenal si një nga ndeshjet më vendimtare të sezonit, duke paralajmëruar se gara për titull mund të marrë fund nëse skuadra e tij humbet.
City aktualisht ndodhet gjashtë pikë pas Arsenal në renditjen e Premier League, edhe pse ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Një fitore do ta ngushtonte diferencën dhe do ta rikthente në garë, ndërsa një humbje do ta bënte pothuajse të pamundur mbrojtjen e titullit.
“Nëse humbim, atëherë është e qartë, gjithçka përfundon për ne në garën për titull”, ka deklaruar Guardiola. “E dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Është si një finale për ne”.
Ai ka theksuar se besimi i ekipit është në nivel të lartë, pavarësisht presionit të madh në këtë fazë të sezonit.
“Nëse do të mund të blinim besimin në supermarket, do ta bënim menjëherë. Është një nga elementët më të rëndësishëm në këtë moment. Por unë shoh skuadrën time dhe them: jemi gati,” është shprehur trajneri spanjoll.
Guardiola ka shtuar se një muaj më parë nuk besonte se City do të ishte ende në këtë pozitë për të luftuar për titull, por rezultatet e fundit kanë ndryshuar situatën.
“Para disa javësh mendova se nuk do të ishim këtu, por kalendari na dha një mundësi. Tani kemi një ndeshje direkte ndaj Arsenalit dhe gjithçka varet nga ne”, ka thënë ai.
Trajneri i City ka paralajmëruar gjithashtu se ndeshja do të vendoset nga detajet dhe përballjet individuale në fushë.
“Në fund, futbolli është i thjeshtë, varet nga ajo se si lojtarët e tu fitojnë duelet një kundër një. Duhet të jemi në nivelin më të lartë”, ka theksuar Guardiola.
Ai e ka pranuar se skuadra e tij duhet të përmirësohet edhe më shumë nëse dëshiron të qëndrojë në garë deri në fund.
“Nuk mund të jemi perfekt për nëntëdhjetë minuta ndaj ekipeve si Arsenal, por duhet të rrisim nivelin tonë. Detajet dhe përqendrimi bëjnë diferencën”, ka thënë ai.


