
Guardiola: Gara për titull nuk është më në duart tona
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka pranuar se gara për titullin në Premier League nuk është më nën kontrollin e ekipit të tij, pas barazimit dramatik 3-3 ndaj Everton.
City humbi mundësinë për t’u barazuar me liderin Arsenal në renditje, pasi nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në një ndeshje të ‘çmendur’ të zhvilluar të hënën mbrëma.
Pas takimit, Guardiola theksoi se situata tashmë ka ndryshuar për skuadrën e tij.
“Para ishte në duart tona, tani jo më. Kanë mbetur edhe katër ndeshje dhe do të jenë të gjitha të vështira. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.
Aktualisht, City ndodhet pesë pikë pas Arsenalit, megjithëse ka një ndeshje më pak të zhvilluar, duke e bërë garën për titull edhe më të komplikuar. Për të mbajtur gjallë shpresat, kampionët në fuqi do të kenë nevojë për hapa fals nga rivali londinez.
Guardiola, megjithatë, u përpoq të nxjerrë anët pozitive nga barazimi.
“Është më mirë se humbja, edhe pse ne gjithmonë luajmë për fitore. Skuadra tregoi karakter, tentuam gjithçka dhe lojtarët ishin agresivë”, shtoi ai.
Barazimi ndaj Evertonit mund të rezultojë vendimtar në fundin e sezonit, në një garë titulli që pritet të mbetet e hapur deri në javët e fundit.

