
Granata dore dhe revole të konfiskuara në Kosovë, policia me raste të reja
Policia e Kosovës pothuajse çdo ditë raporton për raste të shumta të konfiskimit të armëve pa leje dhe municionit, ndërsa nuk mungojnë as rastet kur persona të ndryshëm kanosin qytetarët me armë.
Edhe në raportin e fundit 24-orësh, janë evidentuar disa raste të tilla në rajone të ndryshme të vendit, ku policia ka sekuestruar armë zjarri, fishekë dhe mjete shpërthyese, ndërsa në disa raste janë arrestuar edhe të dyshuarit.
Sipas raportit, në Hajvali të Prishtinës, policia ka gjetur dhe konfiskuar një revole me katër fishekë në shtëpinë e një të dyshuari. Rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në rajonin e Pejës, konkretisht në fshatin Banjë të Istogut, njësitet policore kanë hasur në rrugë një pistoletë me një fishek si dhe një granatë dore. Granata është tërhequr nga njësia për deminim (IEDD), ndërsa arma është konfiskuar dhe rasti vazhdon të hetohet.
Një tjetër rast në këtë rajon është regjistruar në Junik, ku policia gjatë kontrollit në një automjet ka gjetur dhe konfiskuar një armë me gaz, ndërsa i dyshuari ishte edhe nën ndikimin e alkoolit. Ai është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Raste serioze janë raportuar edhe në Mitrovicë të Jugut, ku në Klinë të Mesme të Skenderajt një person është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur një qytetar për shkak të një kontesti pronësor. Gjatë ndërhyrjes, policia ka konfiskuar dy karikatorë me 30 fishekë të kalibrit 7.62 mm, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Po në këtë rajon, në Zhabar të Epërm, një dëshmitar ka raportuar se gjatë mbledhjes së mbeturinave metalike ka hasur në një granatë dore, ndërsa policia ka siguruar vendin dhe ka njoftuar njësitet për deminim.
Në raport është përfshirë edhe një rast shtesë nga Skenderaj, ku i dyshuari për vrasje në tentativë është vetëdorëzuar në polici dhe ka dorëzuar armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar në koordinim me prokurorinë, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave. Rritja e rasteve të armëve pa leje vazhdon të mbetet shqetësim serioz, duke rikthyer vëmendjen te nevoja për kontrolle më të ashpra dhe masa parandaluese ndaj armëmbajtjes ilegale.
Ndryshe në Kosovë vlerësohet se qarkullojnë rreth 230 mijë deri në 260 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve, shifra këto që ndryshojnë varësisht nga burimet dhe hulumtimet e ndryshme. Ndërkohë, Policia e Kosovës konfiskon mesatarisht mbi 1500 deri në 1,800 armë brenda një viti.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2024 janë konfiskuar gjithsej 1,746 armë zjarri, ndërsa gjatë vitit 2025 (periudha janar–korrik) janë konfiskuar 1,039 armë dhe mbi 18 mijë copë municion, çka paraqet një rritje prej 12 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ndërkaq, sipas të dhënave të vitit 2023, rreth 41,684 persona posedonin armë me leje në Kosovë, raporton rtk.
Ndryshe, dënimet për armëmbajtje pa leje në Kosovë përfshijnë gjoba deri në 7,500 euro ose burgim deri në 5 vjet, ndërsa në raste të caktuara dënimi mund të arrijë edhe deri në 10 vjet burg. Megjithatë, në shumë raste praktika gjyqësore përfundon me shqiptim të dënimeve me gjobë.

