Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se ngritja e obeliskut në nderim të Jakup Krasniqit në Negroc të Drenasit, përfaqëson mirënjohje për veprën dhe kontributin e tij për atdheun.
Gjatë ceremonisë së përurimit të obeliskut dhe tri shkronjave të UÇK-së, Limaj ka thënë se porta e vendlindjes së Krasniqit simbolizon pikënisjen e rrugëtimit të tij, nga Negroci deri në shndërrimin në një personalitet me rëndësi kombëtare dhe historike.
Limaj ka thënë se Kosova ka nevojë për më shumë mirënjohje dhe respekt për veprën dhe angazhimin e njerëzve që kontribuuan për vendin.
“Sot është një simbolikë e rëndësishme. Kjo portë është portë që simbolizon vendlindjen e Jakup Krasniqit, dhe Baca Jakup ka dalë nga kjo portë për t’ia dhënë dritë, ide, vizion, për t’ia dhënë gjithë energjinë e vet shërbimit të atdheut. Pikënisja e tij është Negroci, është vendlindja, duke u kthyer në personalitet kombëtar me përmasa kombëtare e historike. Jeta dhe vepra e tij dhe njerëzve që kanë rrethuar bashkë me të, e përshkruan shumë mirë parafolësit e mi”, u shpreh ai, transmeton ballkani.
Ai ka theksuar se beteja që po zhvillohet në Hagë nuk duhet të shihet vetëm si betejë e Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, por si një betejë e përbashkët.
“Nga kjo portë, hyrje-dalje, kanë dalë e kanë hyrë komandanti legjendar, Fehmi Lladrovci, e qindra e qindra dëshmorë e bashkëluftëtarë e bashkëveprimtarë për të sjellë Kosovën ku jemi ne këtu sot. Kosova më shumë se kurrë sot i duhet mirënjohja, në çdo kohë e në çdo vend, na duhet më shumë se çdo gjë tjetër të shprehim mirënjohjen dhe respektin për veprën, për angazhimin që kanë bërë njerëzit tanë, dhe ne e shohim këtë obelisk si mirënjohje për angazhimin dhe veprimtarinë e Bacit Jakup. Ama beteja, beteja që atje po zhvillohet, nuk duhet të mbetet betejë vetëm e Jakupit, Hashimit, Kadrisë, Rexhës, Calit e Pjetrit. Ajo është beteja jonë e përbashkët”, tha Limaj.
Sipas Limajt, angazhimi për drejtësi dhe për të vërtetën duhet të vazhdojë me përkushtimin e të gjithëve.
“Gjërat nuk kanë përfunduar. Beteja vazhdon për drejtësi dhe ne duhet të gjithë së bashku t’ia japim krejt çka dimë e mundemi për t’i shërbyer të vërtetës sonë dhe drejtësisë sonë”, ka deklaruar Limaj.


