
Gjyqi ndaj Netanyahu do të vijojë, Gjykata në Jerusalem refuzon të shtyjë gjykimin
Kryeministri Benjamin Netanyahu falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për “mbështetjen e jashtëzakonshme për Izraelin dhe popullin hebre”, pasi presidenti amerikan kërkoi anulimin e gjyqit penal që po vazhdonte ndaj Netanyahu-t.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mposhtur armiqtë tanë të përbashkët, për të liruar pengjet tona dhe për të zgjeruar shpejt rrethin e paqes,” tha kryeministri izraelit.
Në postimin e tij më herët, Trump deklaroi se ishte i tronditur që Izraeli po “vazhdonte gjuetinë e tij qesharake të shtrigave kundër Netanjahu-t, të cilin ai e cilësoi si kryeministër i kohës së madhe të luftës”, shkruajnë mediet e huaja.
Komentet erdhën pasi një gjykatë në Jerusalem refuzoi kërkesën e Netanyahu-t për të shtyrë dëshminë e tij në gjyqin për korrupsion. Netanyahu është në gjyq për tri raste korrupsioni dhe përballet me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Kryeministri izraelit është akuzuar po ashtu nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën në Gaza.
ICC lëshoi një urdhërarrest ndaj tij, duke e bërë atë liderin e parë të një shteti demokratik, të mbështetur nga Perëndimi, që akuzohet për krime lufte.
Së fundmi gjendja në Rripin e Gazës është rënduar ndjeshëm. Kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se 44 për qind e kërkesave për ndihmë që ata janë përpjekur të dërgojnë janë refuzuar nga Tel-Avivi.
“Midis 27 majit dhe 22 qershorit rreth 500 njerëz janë vrarë teksa përpiqeshin të merrnin ushqim pranë pikave të shpërndarjes së ndihmës. Njerëzit po vdesin urie. Njerëzit janë të sëmurë. Në Gazë, çdo ditë po vdesin njerëz. Ata janë vrarë në rrugë gjatë përpjekjes për të marrë ndihmë mjekësore. Janë vranë në spitale. Tani ata po vriten edhe në rrugë, duke u përpjekur të marrin ushqim që pothuajse nuk ofrohet kurrë,” tha Guterres. /rtsh/


