
“Gjykata speciale synon UÇK”, Ahmeti: Procesi në Hagë, i ndikuar politikisht nga Lindja
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka komentuar zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë, duke thënë se procesi është i ndikuar politikisht dhe ka si synim dobësimin e mbështetjes ndaj luftës çlirimtare.
Ai deklaroi se kjo është një nismë e organizuar nga Lindja për të goditur SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, nën pretekstin se kanë përkrahur ushtri të cilat kanë kryer krime.
“Kjo është një luftë tepër e organizuar nga lindja për të luftuar perëndimin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATON, Bashkimin Evropian, se ato kanë mbështet ushtri të cilat kanë bërë krime, njerëz të dezorientuar dhe të paorganizuar, mirëpo vet dëshmia e zëvendës sekretarit të shtetit, dëshmia e këshilltarit të Rambujesë dhe dëshmitë tjera që do të pasojnë do të nxjerrin në pah një të vërtet që nuk mund të mohohet nga askush”, tha Ahmeti.
Ai e quajti “Librin e verdhë”, mbi të cilin u ngritën fillimisht akuzat, si një “përrallë me mbret” e ndërtuar për të njollosur UÇK-në.
“Ky proces ka filluar keq, ky proces ka filluar në mënyrën më tendencioze me librin e verdh. Kur u pa që libri i verdh është një përrallë me mbret vetëm e vetëm për të komprimentuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, atëherë ndryshoi akuza me një akuzë të pakuptimtë ndërmarrje kriminale, kështu që unë jam shumë i bindur që e drejta do të fitojë, e drejta do të dal në shesh”, tha ai.
I pyetur për mbështetjen e institucioneve të Kosovës për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen, ai tha se nuk ka informacion të detajuar, por shtoi se është detyrë shtetërore t’i përkrahin.
“Kosova ka përgjegjësinë dhe fundi i fundit atje janë njerëz që kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës. Nuk janë njerëz të rëndomtë por janë njerëz që kanë bartur përgjegjësi deri në çlirim dhe deri në pavarësinë e Kosovës”, tha ai.
Në Hagë po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar për krime të pretenduara lufte. Ata janë shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës dhe mbrojtja pretendon se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë komanduese të organizuar. Aktakuza është bërë publike në vitin 2020 dhe që nga ajo kohë, katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë. Gjykimi nisi në prill të vitit 2023 dhe mbrojtja duhet të paraqesë dokumentet përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti. /rtsh/


