
Gjykata e Hong Kongut dënon me 20 vjet burg manjatin e medias pro-demokracisë Jimmy Lai
Autoritetet gjyqësore të Hong Kongut kanë dhënë një dënim prej 20 vitesh burg ndaj biznesmenit dhe aktivistit pro-demokracisë Jimmy Lai, duke shënuar rastin më të rëndë të ndëshkimit sipas ligjit të sigurisë kombëtare.
Lai u shpall fajtor në dhjetor për vepra penale që lidhen me këtë ligj, i cili është kritikuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, por që Kina e justifikon si të nevojshëm për garantimin e stabilitetit në qytet.
Mbajtësi i një pasaporte britanike, Jimmy Lai ishte një nga zërat më kritikë ndaj Pekinit, duke përdorur gazetën e tij pro-demokracisë, Apple Daily, si platformë kundërshtimi politik.
Në të njëjtën çështje, gjashtë ish-drejtues të gazetës u dënuan të hënën me burgime që variojnë nga gjashtë vjet e nëntë muaj deri në 10 vjet.
Figura e Lai mbetet thellësisht përçarëse: ai vlerësohet si hero nga lëvizja pro-demokraci, ndërsa autoritetet kineze e konsiderojnë tradhtar.
Vetë Lai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke deklaruar se ka vepruar në mbrojtje të vlerave të Hong Kongut, përfshirë sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes. /rtsh/

