
Gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti Shefin e Mbrojtjes së Turqisë, flasin për zgjerimin e bashkëpunimit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Shefin e Mbrojtjes së Turqisë, Gjeneral Selçuk Bayraktaroglu.
Gjatë takimit, Gjenerallejtënant Jashari e uroi Bayraktaroglu për emërimin në këtë pozicion dhe theksoi bashkëpunimin e deritanishëm mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Turqisë.
Sipas njoftimit, të dy gjeneralët diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e trajnimeve, edukimit dhe mbështetjes për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.
“Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi Gjeneralin Bayraktaroglu për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë i ka dhënë forcës sonë në ngritjen e kapaciteteve profesionale”, thuhet në njoftim.
Nga ana e tij, Shefi i Mbrojtjes së Turqisë rikonfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lartë zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës.
Tutje, të dy gjeneralët u pajtuan për vazhdimin e zgjerimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.


