
Gati një vit pas shpërthimit, kanali i Ibër-Lepencit është dëmtuar sërish
Raporti i Policisë vë në dukje se një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar me mjete të forta. Policia Rajonale e Mitrovicës, e konfirmoi për RTK-në se rasti është raportuar nga punëkryerësi i sanimit të këtij kanali, ndërkohë që dëmi kap vlerën e 4 mijë eurove.
Në komunikim me organet e sigurisë janë edhe autoritetet lokale. Një vit pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Varragë – në pjesën veriore të Kosovës, rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësit e saj mbeten ende të paqartë. Lidhur me sulmin e 29 nëntorit të viti të kaluar , që u cilësua si akt terrorist, prokuroria vazhdon të mos japë detaje.
Ndërkohë, nga këndvështrimi i ekspertëve të drejtësisë, rasti Banjska dhe Ibër Lepencit paraqesin sulme të drejtpërdrejta ndaj rendit kushtetues të Kosovës, gjë që do të duhej të ndizte alarmin e shtetit për hetime sa më të shpejta, duke dhënë prova të pakontestueshme, në mënyrë që përgjegjësit të ndiqen penalisht.
“Me vet faktin që bëhen 1 vit nga sulmi në Ibër Lepenc, kemi dy persona që janë në paraburgim, padyshim që Prokuoria brenda mundësive do të duhej të ishte më efikase që t’i jepte epilog këtij rasti përmes një aktakuze e cila do të duhej të ishte i bazuar në fakte dhe dëshmi dhe të jetë në
mënyrë profesionale. Sidoqoftë duke marrë për bazë aspektin procedural është e vërtet që në bazë të ligjit të aplikueshëm , prokuroria ka të drejtë të zhvilloj hetime deri në 2 vite por nëse ka dëshmitë e duhura s’ka nevojë të pres dy vite por t’i jep epilog këtij rasti sa më parë”, ka thënë për RTK-në Ehat Miftaraj nga IKD.
E nga aspekti i sigurisë, njohës të fushës, thonë se Kosova ka nevojë të domosdoshme për masa mbrojtëse, duke marrë për bazë se veriu i vendit vazhdon të jetë cak i kërcënimeve të ekstremistëve të udhëhequr nga Vuçiqi dhe lista serbe.
“Kjo e fundit tregon që ata nuk kanë heq dorë nga lufta hibride që po bënë Vuciqi me ekstremistët e vet në veri dhe një nevojë shtesë nga institucionet e sistemit të sigurisë që të mbrojnë me çdo kushte infrastrukturën publike sidomos tani kur pritet që Lista Serbe të dalë me kryetarët e vet
dhe me pretendimet që do ta zhvilloj autoritetin nën interferencat apo rekomandimet e autoriteteve të vendit fqinjë , Serbisë”, ka thënë Nuredin Ibishi, eksperti i sigurisë.
Përndryshe, sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit një vit më parë, e dënuan vendet perëndimore, BE-ja dhe NATO-ja, të cilat kërkuan sqarimin e plotë të rrethanave dhe nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës. Megjithëkëtë, përgjegjësit ende nuk janë të qartë, pavarësisht së dhjetëra persona u arrestuan, por vetëm dy janë në paraburgim. /rtk/


