Galatasaray mposht Liverpoolin në Stamboll

Galatasaray mposht Liverpoolin në Stamboll

Galatasaray ka marrë një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Liverpoolit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve, duke siguruar avantazh para sfidës së kthimit në “Anfield”, shkruan Rekordi.net.

Ndeshja në “Rams Park” nisi me presion nga Liverpooli, që kërkoi të kontrollonte ritmin e lojës që nga minuta e parë.

Megjithatë, vendasit goditën shpejt. Në minutën e shtatë, Victor Osimhen ktheu me kokë një goditje nga këndi drejt zonës, ndërsa Mario Lemina e dërgoi topin në rrjetë për 1-0, duke lënë pa reagim portierin Giorgi Mamardashvili.

Pak minuta më vonë, Osimhen pati një mundësi të artë për të dyfishuar epërsinë, por goditja e tij me kokë shkoi ngushtë jashtë portës.

Me kalimin e kohës loja u balancua dhe të dyja skuadrat patën periudha të mira posedimi. Mohamed Salah dhe Hugo Ekitiké u dalluan në repartin ofensiv të Liverpoolit, ndërsa Galatasaray vazhdoi të krijojë rastet më të rrezikshme. Mamardashvili bëri një pritje spektakolare ndaj Davinson Sanchez, ndërsa Osimhen humbi një tjetër mundësi të mirë, teksa mbrojtja e mysafirëve u detyrua të rezistonte ndaj presionit të Noa Lang dhe Gabriel Sara.

Ritmi i lartë vazhdoi edhe pas pushimit. Alexis Mac Allister ishte shumë pranë barazimit vetëm dy minuta pas rifillimit të lojës, ndërsa Liverpooli vazhdoi të dominojë në pasime, por mbeti i rrezikuar nga kundërsulmet e shpejta të skuadrës turke.

Në minutën e 60-të, Salah u zëvendësua pas një paraqitjeje jo shumë bindëse, ndërsa një gol i Osimhenit u anulua për pozicion jashtë loje. Në anën tjetër, Ekitiké humbi një rast të pastër ballë për ballë me portierin Ugurcan Çakir, i cili reagoi mirë duke devijuar topin.

Liverpooli arriti të dërgojë topin në rrjetë në fundin e ndeshjes, por goli u anulua për prekje të topit me dorë nga Ibrahima Konate.

Minutat e fundit sollën tension dhe raste nga të dyja skuadrat, por rezultati mbeti i pandryshuar. Galatasaray mban kështu një avantazh minimal para ndeshjes së kthimit në Angli, ndërsa Liverpooli do të synojë përmbysjen para tifozëve të vet në “Anfield”. /Rekordi.net

 

Share This